Sveçla akuzon Komunën e Prishtinës për ‘sabotim institucional’
BKT
Kosovë

Sveçla akuzon Komunën e Prishtinës për ‘sabotim institucional’

B.H./RTKlive

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar drejtuesit e kësaj komune për sabotim të qëllimshëm të projekteve për ndërtimin e çerdheve publike në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka deklaruar se tashmë ka kaluar mbi një vit që kur Ministria e Arsimit i është drejtuar zyrtarisht Komunës së Prishtinës me kërkesën për bashkëpunim, duke ofruar financim të plotë, projekte të gatshme dhe mbështetje teknike për ndërtimin e çerdheve në kryeqytet.

Sipas tij, e vetmja përgjegjësi e Komunës ka qenë ndarja e parcelave dhe lëshimi i lejeve ndërtimore.

"Por për më shumë se 12 muaj, asnjë kërkesë e vetme nuk ka ardhur nga kryetari Përparim Rama në Kuvendin Komunal për ndonjë lokacion për çerdhe", ka shkruar Sveçla.

Ai e ka cilësuar këtë si "sabotim institucional", duke theksuar se shkaku kryesor i këtij bllokimi është frika e LDK-së, që udhëheq komunën, se ndërtimi i çerdheve nga Qeveria Kurti do të shihej si sukses i saj.

"Ky është sabotim institucional. Jo vetëm ndaj Qeverisë, por ndaj familjeve prishtinase që presin një vend në çerdhe për fëmijët e tyre", ka theksuar Sveçla.

Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës tash për tash nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj këtyre të akuzave të Sveçlës.


MË SHUME NGA Kosovë