Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta përkujtohet gazetari Qani Mehmedi
E.H/RTKlive
Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, në vendlindjen e tij në Drogomisht të Vogël u përkujtua gazetari dhe intelektuali Qani Mehmedi. Në verzat e fshatit u organizuan homazhe për të kujtuar jetën dhe veprën e një prej gazetarëve të dalluar shqiptar.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë familjarë, kolegë, miq dhe figura publike të njohura nga fusha e gazetarisë, politikës dhe kulturës. Ata nderuan kujtimin e Qani Mehmedit, i cili u cilësua si ikonë e fjalës së lirë dhe zë i së vërtetës në periudha të rëndësishme historike për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
“Qani Mehmedi nuk ishte vetëm gazetar, por një intelektual i mirëfilltë që themeloi mediume, udhëhoqi redaksi dhe la pas një trashëgimi të pasur me artikuj, intervista dhe analiza që edhe sot mbeten të vlefshme dhe referuese”, ka shkruar studiuesi Sadik Emroja në Facebook.
Në këtë homazh ishte edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, profesori Osman Kadriu dhe gazetari, Ibrahim Koça.
Në emër të familjes, me ndjenja të thella emocionale, foli e bija Besiana Mehmedi, e cila së bashku me Shkodran Tolajn, që këndoi këngën e preferuar të Mehmetit “Vinë vaporat”, falënderuan të pranishmit për respektin dhe përkujtimin.
Një moment prekës ishte prania e mbesës së tij, Uskana, e cila mbante fanellën me mbishkrimin: “Gjyshi Qani, të dua përgjithmonë”, si një dëshmi se vlerat dhe porositë e tij po përcillen tek brezat e rinj.























