Komuna e Fushë-Kosovës nis aksionin për lirimin e hapësirave publike
K. K. / RTKlive
Drejtoria për Inspektorat ka njoftuar se sot ka filluar aksionin për zbatimin e urdhëresës për lirimin e hapësirave publike në Komunën e Fushë-Kosovës.
Sipas njoftimit, pavarësisht njoftimeve paraprake, një pjesë e bizneseve nuk kanë liruar hapësirat publike, ndonëse janë informuar me kohë përmes procesverbaleve dhe vendimeve zyrtare.
“Aksioni ka filluar në rrugën “Hajrualla Zymi”, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojmë me rrugët e tjera të qytetit. Qëllimi i këtij aksioni është të rikthejë në funksion publik trotuaret, sheshet, rrugët dhe zonat e tjera të përbashkëta që janë të destinuara për përdorim të lirë nga qytetarët”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë me dije se ky aksion do të përfshijë të gjithë territorin e qytetit të Fushë-Kosovës dhe do të zhvillohet me mbështetjen e institucioneve relevante, deri në përfundimin e tij të plotë.























