IKSHPK: Uji i pishinës së Gërmisë nuk i përmbush standardet, reagon komuna
BKT
Kosovë

IKSHPK: Uji i pishinës së Gërmisë nuk i përmbush standardet, reagon komuna

Ardiana Hajzeri/RTK-Radio 

Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të Pishinës së Gërmisë në Prishtinë. Ky vendim ka ardhur pas publikimit të raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ku nga mostrat që janë marrë nga uji i Pishinës së Gërmisë, dëshmojnë se kjo pishinë nuk i plotëson standardet. Infektologët thonë se qytetarët janë të rrezikuar nga infeksione të shumta në rast të përdorimit të ujit i cili nuk i plotëson standardet.

Pishina e Gërmisë në Prishtinë është mbyllur përkohësisht pas publikimit të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, të cilat tregojnë se nga mostrat e marra nga uji i kësaj pishine nuk i plotëson standardet. Përkundër që rezultatet ishin publikuar, kjo pishinë sot paradite ishte e hapur për qytetarët. Disa prej tyre i thanë Radio Kosovës së janë  të zhgënjyer më drejtuesit e pishinës, pasi sipas tyre nuk është dashur të hapet pas rezultateve nga mostrat e publikuara nga Instituti.

“Po, unë e kam parë në internet, por kam menduar që është përmirësuar. E kam parë që një qytetar ka publikuar pamje të ujit që ka qenë krejt si ngjyrë kafe. E këtu, tash po thonë se duhet të largohen nga pishina të gjithë qytetarët. Më herët erdhën këta punonjësit këtu dhe na lajmëruan që të mos hyjmë hiq në ujë e të mos me vazhduar me qëndrua. Veç jemi maltretuar kot që kemi ardhur, është dashtë të na tregojnë. S’di pse e hapin, kur ka lajmëruar Instituti që duhet me e mbyll. Jo, nuk kam pasur asnjë informatë për këtë gjendje, se ta kisha ditur nuk do të vija e që të   infektohem”, deklaroi një qytetar.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh optimist se ky problem do të zgjidhet së shpejti, ndërsa tha se do ta analizojnë të gjithë situatën.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës e ka quajtur “alarm të panevojshëm” njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ujin e pishinës së Gërmisë. Në komunikatën e komunës thuhet se rezultatet përfundimtare të mostrave, ashtu siç ka thënë edhe IKSHPK-ja, do të publikohen më 25 korrik. Andaj, sipas përfaqësuesve të komunës, deklaratat e para kësaj date rrezikojnë të dezinformojnë.

E kryeshefi i Kompanisë “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në një postim në Facebook e ka quajtur më tepër fushatë vendimin e Inspektoratit Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ka theksuar se vlerat e raportit tregojnë për devijime të lehta, për të cilat nuk diskutohet mbyllja, ndërsa rekomandohet trajtimi i ujit si proces normal.

Sidoqoftë, infektologu Sali Ahmeti i tha Radio Kosovës se në rast se uji është jashtë standardeve në pishina, qytetarët rrezikohen nga shumë infeksione.

“Po nëse uji i pishinave nuk i plotëson standardet mikrobiologjike, atëherë ai mund të jetë burim i infeksioneve për bakteret dhe viruset e ndryshme, prej të cilave më të shpeshta janë ato që prekin traktin gastrointestinal dhe mjaft shpesh ineteroviruset e ndryshme e sidomos, në këto temperatura të larta që shoqërohen me temperaturë, vjellje, barkçitje e ndonjëherë edhe me dehidrime me të rënda”, tha Ahmeti.

Më 23 korrik janë marrë mostra të përsëritura dhe rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme më 25 korrik.


MË SHUME NGA Kosovë