Komuna e Kaçanikut diskutim me të rinjtë për buxhet
BKT
Kosovë

Komuna e Kaçanikut diskutim me të rinjtë për buxhet

E.Hoti/RTKlive

Komuna e Kaçanikut ka vazhduar me konsultimet publike për planifikimet buxhetore, këtë herë duke përfshirë edhe të rinjtë e komunës në diskutime mbi prioritetet dhe nevojat e tyre.

Sipas njoftimit, në takim, nënkryetari i Komunës, Sabedin Vishi, theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të komunës për të mbështetur rininë, në veçanti anëtarët e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL), të cilët, siç tha ai, kanë treguar nivel të lartë të organizimit dhe angazhimit në aktivitete të ndryshme.

“Përkrahja për aktivitetet rinore ka qenë e vazhdueshme. Nga viti në vit kemi rritur subvencionet për kulturë, rini dhe sport, si dhe për bursa për studentët. Janë financuar gjithashtu projekte kapitale në fushat e kulturës, arsimit dhe sportit,” deklaroi Vishi.

Të rinjtë pjesëmarrës shprehën mirënjohje për mbështetjen e deritanishme, por njëkohësisht kërkuan rritje të investimeve kapitale që i adresojnë drejtpërdrejt nevojat e tyre, si dhe shtim të subvencioneve për projekte rinore.

Bëhet e ditur se pas diskutimeve, përfaqësuesit komunalë dhe të rinjtë vizituan sallën e leximit në Shtëpinë e Kulturës, një projekt që fillimisht ka lindur si kërkesë e të rinjve gjatë debateve publike dhe tashmë është funksional.


MË SHUME NGA Kosovë