Rritet numri i zjarreve në Ferizaj, ka mungesë të zjarrfikësve
K. K. / RTKlive
Gjatë ditëve të fundit, në komunën e Ferizajt është vërejtur një shtim i madh i vatrave të zjarrit. Jeton Avdiu, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, tha në emisionin “Info Plus” në RTK se situata është mjaft shqetësuese.
“Vetëm gjatë këtij muaji kemi pasur 174 intervenime, krahasuar me 124 në korrik të vitit të kaluar. Kjo nënkupton një rritje prej 50 rasteve”, theksoi Avdiu.
Ai shtoi se ndërhyrjet në terrenet malore paraqesin vështirësi të mëdha, pasi në shumë raste automjetet nuk mund të depërtojnë për shkak të dendësisë së pyjeve dhe përhapjes së tymit, duke i detyruar zjarrfikësit të ecin kilometra të tërë në këmbë për të arritur në vatrat e zjarrit.
Një nga sfidat më të mëdha mbetet numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve. Aktualisht, në komunën e Ferizajt janë vetëm 28 zjarrfikës të rregullt, ndërkohë që, sipas standardeve dhe numrit të banorëve, do të duhej të ishin së paku 74.
“Pa ndihmën e zjarrfikësve vullnetarë, nuk do të mund ta përballonim situatën. Kemi pasur raste me deri në 19 intervenime në ditë, dhe me vetëm 5 zjarrfikës në ndërrim është e pamundur të përballohen të gjitha”, shtoi Avdiu.























