Marsh përkujtimor për Enver Zymerin dhe policët e rënë
BKT
Kosovë

Marsh përkujtimor për Enver Zymerin dhe policët e rënë

E.Hoti/RTKlive

Ministria e  Punëve të Brendshm ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, u organizua një marshutë përkujtimore me motocikleta me katër rrota.

Sipas njoftimit të MPB-së,  marshuta përshkoi një shteg simbolik prej disa kilometrash, duke përfshirë ndalesën për homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies së Enver Zymerit, për të vazhduar më pas drejt veriut të vendit, me cak përfundimtar Liqenin e Ujmanit.

 “Aktiviteti u organizua në nderim të 24 zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë në Republikën e Kosovës. Kjo marshutë simbolike shërben si kujtesë e përhershme për sakrificën dhe përkushtimin e tyre”, thuhet në njoftim.

 Me këtë rast, u theksua rëndësia e respektit dhe mirënjohjes së vazhdueshme për të rënët në detyrë, duke i vendosur ata si shembull të përkushtimit dhe ndershmërisë për të gjithë qytetarët e vendit.

26 korriku shënon datën kur u vra polici i Kosovës, Enver Zymeri. Ai ra në krye të detyrës gjatë një aksioni policor në veri të vendit.


MË SHUME NGA Kosovë