Situata me zjarret në Kosovë, aktualisht vetëm një zjarr është aktiv
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata me zjarret në vend është përmirësuar ndjeshëm gjatë 12 orëve të fundit.
Në një komunikatë të publikuar në Facebook, Agjencia bën të ditur se falë reagimit të shpejtë dhe efikas të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, me mbështetjen e saj dhe ndihmën e reshjeve të shiut, numri i vatrave aktive është ulur dukshëm.
“Aktualisht, është aktiv vetëm një zjarr në fshatin Trudë, Komuna e Prishtinës, ku ekipet janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e tij”, thuhet në njoftim.
Pasditja e së premtes ishte veçanërisht sfiduese për autoritetet, pasi disa vatra zjarri u përhapën në zona të ndryshme të vendit, duke rrezikuar sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe prona private. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve dhe ndihma nga reshjet e shiut kanë qenë vendimtare në vënien nën kontroll të situatës.
Agjencia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve dhe për shmangien e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr, duke theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të çdo rreziku te autoritetet përkatëse.
“Falënderojmë zjarrfikësit për përkushtimin e tyre të palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin e treguar”, përfundon njoftimi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Mbi 100 zjarre të raportuara në Kosovë
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, dje në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre. Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.























