Qytetarët të shqetësuar me gjendjen e krijuar në qendër të Prishtinës
BKT
Kosovë

Qytetarët të shqetësuar me gjendjen e krijuar në qendër të Prishtinës

Hana Marteti /RTK

Përpjekjet për të implementuar një projekt prej mbi 18 milionë eurosh në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet, tani ndalohen edhe me një vendim gjykate. Qytetarët e kryeqytetit shprehin shqetësim për gjendjen e krijuar në qendër, ku sheshi ka mbetur i papërdorshëm dhe i bllokuar që nga muaji mars.

Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinës e hodhi poshtë krejtësisht kërkesë-padinë e komunës ndaj Ministrisë së Kulturës. Më pas, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rivendosje. Ndërkohë tash, Gjykata Themelore ka hedhur poshtë kërkesën për masë sigurie, në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Sipas aktvendimit të ri, padia do të trajtohet, por punimet nuk mund të vazhdojnë.

Nga muaji mars, sheshi Xhorxh Bush ka mbetur gërmadhë. Komuna e Prishtinës filloi projektin 18 milionësh në këtë zonë, ku shtrihen pesë monumente të trashëgimisë kulturore. Sipas Ministrisë së Kulturës, pjesa më e madhe e mbetet zonë e mbrojtur e Qendrës Historike të Kryeqytetit. Pasi puna filloi pa kurrfarë lejeje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, nga 12 marsi, ishte Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ndaloi punimet. Nga ajo kohë akuzat, kundërakuzat e përplasjet nuk kanë ndaluar.

 Gjykata Themelore tashmë ka hedhur poshtë kërkesën për masë sigurie, në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Mbi bazë të këtij aktvendimi të ri, padia e komunës ndaj Ministrisë së Kulturës do të trajtohet, por punimet nuk mund të vazhdojnë.

E sheshi në qendër të kryeqytetit, si duket do mbesë edhe një kohë pa rrugën, pa shesh. Qytetarët mbesin të shqetësuar përballë gjendjes së krijuar në qendër të kryeqytetit.

“Është dashur të merren vesh institucionet përkatëse e te mos jetë mbyllur, sepse është shëmti dhe është një tregues që institucionet e Kosovës nuk janë duke funksionuar për diçka kaq të thjeshtë “, tha një qytetar.

“Duhet të hapet sheshi, duhet rregulluar”, shtoi një qytetar tjetër.

“Kjo është një përditshmëri e jona që partitë politike nuk po punojnë për interesat e popullit por për interesat personale. Dikush është në një parti tjetër dhe ndalon punën dikujt që është në partinë tjetër”, tha qytetari tjetër.

Vendimet e institucioneve të drejtësisë, ka kohë që po përdoren dhe po interpretohen edhe politikisht. Ndërkohë që aktorët e përplasjes synojnë të parin e kryeqytetit në zgjedhjet komunale.

Kryetari aktual, Përparim Rama, synon edhe një tjetër mandat, e po ashtu dhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, është kandidat për të udhëhequr me kryeqytetin.


MË SHUME NGA Kosovë