Shuhet zjarri në Mamushë, një person i lënduar dërgohet në spital
BKT
Kosovë

Shuhet zjarri në Mamushë, një person i lënduar dërgohet në spital

Enis Tabak/ RTK

(E përditësuar 19:55) Zjarri që shpërtheu sot pasdite në komunën e Mamushës, u shua pas rreth 4 orësh punë intensive.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, në një deklaratë për RTKlive, bëri të ditur se zjarrfikësit e Mamushës, si dhe qytetarët, dhanë mbështetjen e tyre me mundësi vetjake.

Krasniç tha se gjatë zjarrit një person u prek nga flaka dhe u dërgua në Spitalin Shtetëror të Prizrenit, ndërsa gjendja e tij është e mirë. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për shkaqet e zjarrit.

17:03  Zjarr në tokat përreth Mamushës |VIDEO

Në Komunën e Mamushës, për shkak të motit të nxehtë, kanë shpërthyer zjarre në tokat përreth.

Zjarrfikësit e Mamushës intervenuan menjëherë. Raportohet se zjarri ka nisur rreth dy orë më parë dhe ende vazhdon.

Autoritetet kanë njoftuar se po punohet intensivisht që zjarri të mos përhapet në zonat e banuara.

Gjatë ditëve të fundit, Kosova është përballur me disa vatra zjarri për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë. Në disa raste, ekzistojnë dyshime se zjarret mund të jenë vënë qëllimisht.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka bërë apel te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar.

“Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.” 


MË SHUME NGA Kosovë