Mot me reshje shiu, të dendura në disa zona
Sh.Ç|RTKlive
(E plotësuar, ora 07:30) Instituti Meteorologjik njofton se në territorin e Kosovës priten reshje shiu në shumicën e zonave.
Reshjet më intensive do të jenë në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku priten sasi reshjesh që mund të arrijnë deri në 20 mm për 3 orë.
Zona qendrore dhe perëndimore do të regjistrojnë reshje me intensitet mesatar, ndërsa në pjesën lindore dhe juglindore reshjet pritet të jenë të pakta ose të mungojnë.
Apelohet që qytetarët dhe institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për të parandaluar ndikimet e mundshme të reshjeve, veçanërisht në zonat ku priten reshje më të dendura.
Mot i paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se sot, vendi do të përfshihet nga mot kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara gjatë orëve të paradites. Në pjesën e dytë të ditës, vranësirat parashihen të dendësohen, duke krijuar kushte për reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh në disa rajone.
Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13°C dhe 17°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 33°C, sidomos në pjesën perëndimore dhe jugore të vendit.
Prizreni, Istogu dhe Gjakova pritet të jenë qytetet më të nxehta të ditës, me temperaturë maksimale prej 33°C, ndërsa Dragashi do të jetë më i freskëti në mëngjes, me 13°C, dhe maksimalja nuk do të kalojë 29°C.
Edhe në Prishtinë, parashikohet një ditë me mot të qëndrueshëm, me temperaturë maksimale deri në 32°C dhe minimale prej 16°C.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatarisht e fortë, lokalisht më e fuqishme, nga drejtimi i veriperëndimit, duke sjellë herë pas here freskim të motit.























