Mot pjesërisht me diell, por më freskët
RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve të shiut që sollën freski dhe gjallëri në natyrë, fundjava pritet të jetë më e freskët dhe me kushte më të qëndrueshme meteorologjike.
"Këto reshje do të ndikojnë pozitivisht në bujqësi, duke i ndihmuar kulturat bujqësore dhe duke rritur lagështinë e tokës. Po ashtu, ajri i pastër dhe temperaturat e moderuara do të krijojnë kushte të favorshme si për punët në arë, ashtu edhe për pushim dhe aktivitete në natyrë", thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sipas këtij instituti të shtunën pritet të mbajë mot me diell dhe vranesira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-17°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë ndërmjet 22-25°C. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi prej 1 deri në 3m/s.























