Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan me fushë të tenisit
RTKlive
Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan u hap fusha e parë e tenisit, investim i përbashkët i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Federatës së Tenisit të Kosovës. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e sportit dhe rehabilitimit brenda sistemit korrektues.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, reprezentuesi i Kosovës në tenis, Naim Shehu, si dhe drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli.
Dibrani theksoi se sporti është një mjet i fuqishëm për rehabilitim dhe ri-integrim të suksesshëm në shoqëri, duke falënderuar Federatën e Tenisit për përkrahjen. Ndërsa Hadërgjonaj garantoi se Federata do të vazhdojë të mbështesë projekte që sjellin vlera sociale edhe brenda institucioneve korrektuese.
Fusha e tenisit do të përdoret nga të dënuarat si pjesë e programeve rekreative dhe edukative që zhvillohen në këtë qendër. Ky investim synon të përmirësojë kushtet për aktivitete sportive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e procesit rehabilitues.























