Kurti për 7 shtatorin thotë se luajti rol historik
RTKlive
Kreu i VV-së, Albin Kurti, tha sot më 7 shtator, bëhen plot 35 vite nga mbledhja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik, ku ata e miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
"Vërtet ajo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë atëbotë, por ajo republikë e parë, e luajti rolin e saj historik si një republikë për rezistencë, për rezistencë paqësore dhe të armatosur, e që kulmoi me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", tha Kurti.
"Ne jemi mbledhur këtu në Prishtinë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk mund të mos e kujtojmë që pikërisht sot, pra më 7 shtator, bëhen plot 35 vite nga mbledhja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik, ku ata e miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vërtet ajo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë atëbotë, por ajo republikë e parë, e luajti rolin e saj historik si një republikë për rezistencë, për rezistencë paqësore dhe të armatosur, e që kulmoi me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërhyrjen legjitime të NATO-s, dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Liri kjo e cila i hapi rrugë shpalljes së dytë të Republikës së Kosovës nga deputetët e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike, në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008", tha Kurti.
Sipas tij, nëse me republikën e parë të Kosovës, atë të shpallur para 35 vjetëve iu hap rruga rezistencës dhe luftës për çlirimin e Kosovës, me republikën e dytë Kosovës, atë të shpallur më 2008, Kosovës i është hapur rruga për zhvillim dhe subjektivitet ndërkombëtar përmes 119 shteteve që na kanë njohur deri më tani, vendosjes dhe mirëmbajtjes së marrëdhënieve ndërkombëtare me këto shtete si dhe përmes anëtarësimit në dhjetëra organizata e mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.
"Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qenë dhe mbetet subjekti politik me referencat më të qarta historike: nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e qendërzuar te mendimi i Sami Frashërit, te beteja anti-kolonialiste e popujve për liri e pavarësi botës mbarë, te rezistenca e të burgosurve politikë e identifikuar me Adem Demaçin dhe deri te lufta çlirimtare dhe sakrifica për liri e kryekomandantit Adem Jasharit dhe e UÇK-së. Andaj sot dhe për jetë e mot, nderime dhe mirënjohje të gjitha gjeneratave që janë angazhuar për lirinë e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj", tha ai.























