Përurohet objekti i shkollës ‘7 shtatori’ / VIDEO
Fatos Cerrvadiku / RTK
Pas një kohe të gjatë të mësimit në objekt të vjetër shkollor, mbi 200 nxënës të shkollës “7 Shtatori” tani do të mësojnë në objektin e ri. Ndonëse nxënësit e drejtimeve tregti, hotelieri dhe turizëm ishte paraparë të fillonin mësimin në objekt të ri që vitin e kaluar, ai u përurua vetëm sot.
Pavarësisht se drejtoresha e shkollës kishte deklaruar se shtatori i vitit 2024 do t`i gjente në objekt të ri, drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës thekson se punimet janë kryer brenda afatit.
“Në këtë objekt punimet kanë shkuar sipas planit, nuk ka pasur asnjë vonesë”, ka thënë Samir Shahini, drejtor i arsimit në komunën e Prishtinës.
Ndërtimi i kësaj shkolle kap vlerën 2.2 milionë euro, ndihmuar edhe nga Luksemburgu.
Lah Nitaj, nga ministria e arsimit, tha se kjo shkollë siguron dhe garanton të gjithë të rejat dhe të rinjtë që do të marrin dije, kualifikime dhe kompetenca të cilat janë të nevojshme për ekonominë.
Kurse Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, tha se çdo vit ka nga 35 për qind më shumë turist në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën, dhe vendi ka pas nevojë për një shkollë të tillë.
Ndërsa Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë, tha se kjo shkollë është pjesë e zhvillimit të aftësive për të krijuar punë në Kosovë.
“Kjo është pjesë e zhvillimit të aftësive për të krijuar punë në Kosovë. Komuna e Prishtinës ka paguar për ndërtesën, ndërsa agjencia jonë për bashkëpunim dhe zhvillim, ka ndihmuar në dizajnimin dhe pajisjen me mjete”, ka thënë ai.
Shkolla e mesme profesionale “7 Shtatori” u cilësua si një motor i fuqishëm i zhvillimit ekonomik për kryeqytet e më gjerë.























