Persona të panjohur dëmtojnë çerdhen e re në Dragash / Video
Myrvete Axhami / RTK-Prizren
Ndonëse u ndërtua dhjetë vjet më parë, ky objekt u vu në funksion gjatë muajit prill të këtij viti. Institucionet lokale, sivjet vendosën që këtu të vijojnë aktivitetin ditor fëmijët e moshës 3 deri në 4 vjeç.
Drejtori i Arsimit në Dragash, Zeni Krasniqi, ka bërë të ditur se nga 1 shtatori ka nisur funksionimi i çerdhes së re në këtë komunë, ku një numër i konsiderueshëm fëmijësh kanë filluar aktivitetet mësimore.
“Me 1 shtator kemi filluar, i kemi pasur nxënësit në objektin tjetër, pasi ai ka shërbyer si qendër me bazë në komunitet. Tani e kemi përfunduar fazën e rekrutimit. Kjo çerdhe ka drejtoreshën, tri edukatore dhe një numër të konsiderueshëm fëmijësh, të cilët prej 1 shtatorit e kanë filluar punën këtu në këtë objekt”, tha Krasniqi.
Megjithatë, ditë më parë objekti i çerdhes është demoluar nga persona ende të panjohur. Për këtë arsye, fëmijët nuk i vijuan aktivitetet këtë javë. Sipas drejtoreshës së institucionit, Blerina Kamberi, ky nuk është rasti i parë i tillë.
“Në fillim ka ardhur pastruesja për të pastruar. Kur e ka hapur derën, ka parë ngjyrat e hedhura nëpër dysheme dhe muret e ngjyrosura. Ajo më ka lajmëruar menjëherë. Kur erdha, e njoftuam policinë. Nuk kemi prekur asgjë. Klasa e edukatoreve është dëmtuar dukshëm, mungojnë materiale, janë shkaktuar dëme të mëdha. Në rastin e parë nuk e kemi njoftuar policinë, pasi ishim në fazën e punimeve dhe nuk kishin çfarë të merrnin, vetëm i kishin hedhur lodrat. Në rastin e dytë, po, e kemi njoftuar policinë”, tha Kamberi.
Policia ka evidentuar rastin, duke konstatuar se në vendngjarje nuk ka gjurmë të ndonjë tentative për vjedhje, përveç dëmtimit të pronës. Me udhëzim të prokurorit, për rastin do të mbahet vetëm shënim zyrtar.























