14:33 / 05.10.2025
Pas problemeve me gypin, rikthehet furnizimi me ujë në Fushë Kosovë
V.S|RTKlive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se furnizimi me ujë në qytetin e Fushë Kosovës është rikthyer dhe sistemi, sipas tyre, po funksionon normalisht.
Kjo, pasi gjatë ditës së sotme ky qytet kishte mbetur pa ujë si shkak i rrjedhjes së një gypi që detyroi ujësjellësin të ndërpresë furnizimin tërësishëm për këtë komunë që furnizohet nga fabrika në Shkabaj.
Ujësjellësi qysh në mëngjes njoftoi për arsyet e ndërprerjes së përkohshme të ujit.
“Për shkak të një rrjedhjeje në gypin Ø400 mm, është e nevojshme të ndërpritet për një orë furnizimi me ujë nga fabrika Shkabaj përmes gypit Ø630 mm që furnizon qytetin e Fushë Kosovës”, kishte njoftuar KRU “Prishtina”.























