Institucionet bashkë për sigurinë në punë dhe transport|Video
BKT
Kosovë

Institucionet bashkë për sigurinë në punë dhe transport|Video

Sh.G|RTKlive

Profesori Muhamed Krasniqi, organizator i Konferencës “Siguria në punë dhe në transport”, ishte i ftuar në programin e mëngjesit në RTK, ku foli për rëndësinë dhe qëllimin e kësaj ngjarjeje, e cila këtë vit ka marrë një dimension më të gjerë.

“Edhe në këtë konferencë, si çdo herë, e kemi pasur në fokus transportin, sigurinë rrugore dhe çështjet e trafikut. Mirëpo, kësaj radhe e kemi zgjeruar temën edhe me sigurinë në punë, për shkak se po ndodhin qindra aksidente të ndryshme në vendin e punës, të cilat, fatkeqësisht, po përfundojnë me humbje jete, veçanërisht të të rinjve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, këtë vit konferenca është dalluar nga të mëparshmet për nga përfshirja institucionale dhe serioziteti i trajtimit të temës.

“Veçoria apo dallimi i kësaj konference në raport me konferencat e kaluara është pjesëmarrja aktive e tri ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës: Ministrisë së Infrastrukturës, përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave”, u shpreh Krasniqi.

Pjesë e konferencës janë edhe përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Sipas Krasniqit, ideja kryesore është të krijohet një platformë e hapur diskutimi mes akterëve relevantë.

“Domethënë, ideja është të krijojmë një tryezë diskutimi, e cila është e ndarë në katër panele, në katër sesione, ku do të diskutohen dhe ballafaqohen argumentet, me qëllim që të nxjerrim më të mirën dhe të kuptojmë e identifikojmë shkaktarët e këtyre aksidenteve”, përfundoi Krasniqi.


MË SHUME NGA Kosovë