Konferencë për barazi gjinore e fuqizimin ekonomik të grave
BKT
Kosovë

Konferencë për barazi gjinore e fuqizimin ekonomik të grave

V.S|RTKlive

Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit të Prishtinës, bashkë me ndihmën e organizatave vendase dhe ndërkombëtare ka organizuar një konferencë, ku u fol për fuqizimin ekonomik të grave e vajzave dhe rolin e institucioneve shtetërore e publike për krijimin e barazisë gjinore.

Edicioni i dytë i kësaj konference, “Barazia Gjinore dhe Institucionet”, bëri bashkë bartës të jetës akademike nga UP-ja, universitetet rajonale e evropiane, ekspertë të ekonomisë, krerë të institucioneve kosovare dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Në tri sesione tematike thuhet se u diskutua për rolin e institucioneve arsimore në avancimin e barazisë gjinore, për migrimin e grave dhe përfaqësimin e tyre në tregun e punës, si dhe për politikat që mund t’i fuqizojnë ekonomikisht ato.

“Në hapjen e konferencës, të pranishmëve iu drejtua me fjalët e tij dekani i Fakultetit të Ekonomisë, prof. Driton Balaj. Ai deklaroi se barazia gjinore është dhe mbetet vlerë thelbësore e institucionit që drejton dhe e shoqërisë kosovare në tërësi. Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, duke treguar përkushtimin e lartë të menaxhmentit të UP-së për barazi gjinore dhe rezultatet konkrete të këtij institucioni në këtë fushë, bëri thirrje që të veprohet konkretisht, pasi nuk mjafton vetëm të reflektohet për barazi gjinore”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Ndërkohë, Edia Gusia, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, konstatoi se bashkëpunimi i kësaj zyre me Fakultetin Ekonomik të UP-së është shembull konkret se si një institucion ekzekutiv dhe një tjetër i arsimit të lartë bëhen bashkë për të zbatuar politikat e barazisë gjinore.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, institucionet e arsimit të lartë i cilësoi si mjetet më të mira për ta çuar përpara barazinë gjinore.

UP-ja bën të ditur se në konferencë, pikëpamjet e tyre për barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave i shfaqën ekspertë dhe profesorë vendas e ndërkombëtarë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Turqia, Gjermania, Austria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.


MË SHUME NGA Kosovë