KQZ konfirmon, të lënduarit në Slivovë janë komisionerë zgjedhor në Ferizaj
RTKlive
(Plotësuar, 12:50) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Ferizaj kanë pësuar lëndime pas një aksidenti trafiku të ndodhur të premten në mbrëmje, ndërsa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ngjarja ka ndodhur më 17 tetor 2025, në orën 18:17.
“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ky institucion thekson se pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin.
“Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thekson tutje KQZ.
Pesë persona lëndohen në një aksident në Slivovë
Pesë persona kanë pësuar lëndime pas një aksidenti trafiku që ndodhi të premten në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku u përfshinë një veturë dhe një autobus me targa vendore.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ndodhi në orën 18:17, në rrugën magjistrale në fshatin Slivovë. Në përplasjen mes automjeteve, shoferi i veturës dhe katër pasagjerët e saj pësuan lëndime trupore. Katër prej të lënduarve u dërguan për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Ferizajt.
E lidhur me këtë rast, Blerton Jakupi nga dega e LDK-së në Ferizaj ka bërë të ditur se pesë të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor. Ai shtoi se një prej tyre ndodhet në gjendje kome.























