‘Udhëtimi Ynë i Përbashkët’, vullnetarizmi si urë lidhëse mes studentëve
V.S|RTKlive
Në ambientet e Qendrës për Studentët me Nevoja të Veçanta në Fakultetin Juridik, zyrtarë të UP-së, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe studentë diskutuan për vullnetarizmin, ndihmën dhe lidhjet njerëzore mes studentëve me dhe pa nevoja të veçanta.
UP-ja thotë se aktiviteti i quajtur ‘Udhëtimi Ynë i Përbashkët’, u zhvillua me qëllimin e promovimit të përfshirjes, solidaritetit dhe fuqisë së vullnetarizmit në jetën universitare.
“Gjatë diskutimeve u vu në dukje se arsimi gjithëpërfshirës nuk është vetëm një qëllim institucional, por një vlerë që forcon komunitetin universitar dhe shoqërinë në tërësi”, thotë UP-ja e cila njoftoi për këtë aktivitet.
Ardita Kastrati, ka treguar se Qendra është themeluar me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë në arsim dhe mbështetjes së studentëve me nevoja të veçanta nëpërmjet shërbimeve akademike, asistencës teknike dhe programeve të integrimit social.
“Qendra është shndërruar në një hapësirë bashkëpunuese solidariteti dhe diversiteti”, tha ajo.
Bujar Kadriu, drejtor ekzekutiv i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, e vlerësoi lart vullnetarizmin e studentëve.
Daut Tishuki, përfaqësues ligjor në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, tha se çfarëdo ndihme është shumë e nevojshme për ata që kanë nevojë.
Studenti Florian Zeka tha se e ka përjetuar personalisht mbështetjen nga kolegët. “Si student me nevoja të veçanta, unë e kam përjetuar drejtpërdrejt fuqinë e solidaritetit”, tha ai.
Erona Isufi, studente e vitit të parë në Fakultetin Ekonomik, tregoi përvojën e saj si vullnetare. Ajo tha se përfshirja në aktivitete vullnetare i ka mësuar se ndihma më e madhe nuk është gjithmonë materiale, por, është prania, dëgjimi dhe gatishmëria për të qenë pranë dikujt që ka nevojë.
Zoja Mustafa, studente e vitit të tretë në Fakultetin Juridik, tha se vullnetarizmi në komunitetin studentor krijon lidhje të vërteta njerëzore.
Qendra për Studentët me Nevoja të Veçanta u themelua në prill të vitit 2024 falë bashkëpunimit të UP-së me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë, Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe UNDP-në, që ofroi pajisjet e nevojshme për këtë qendër.























