MAShTI organizon punëtori për vlerësimin e Strategjisë së Arsimit 2022–2026
BKT
Kosovë

MAShTI organizon punëtori për vlerësimin e Strategjisë së Arsimit 2022–2026

N.M. /RTKlive

Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit (MAShTI) ka organizuar një punëtori pune për të koordinuar veprimet dhe vlerësuar progresin në zbatimin e Strategjisë së Arsimit 2022–2026.

Në punëtori morën pjesë ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, sekretarja e përgjithshme, Fadile Dyla, si dhe udhëheqës të departamenteve dhe divizioneve të MAShTI-t. Ministrja Nagavci theksoi se Strategjia përfaqëson udhërrëfyesin kryesor për reformën e sistemit arsimor dhe rezulton nga përkushtimi i të gjitha departamenteve për rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim, njofton zyra për informim e kësaj ministrie.

Gjatë punëtorisë u prezantuan arritjet në të gjitha nivelet e arsimit, duke përfshirë:

Edukimin në Fëmijërinë e Hershme: Ligji i ri, 17 çerdhe të përfunduara, pilotimi i kurrikulës në 10 komuna dhe trajnim i mbi 1,000 edukatorëve.

Arsimin e Përgjithshëm: Trajnim i mbi 1,200 mësimdhënësve për orientim karriere, punësim i 40 këshilltarëve karriere, dhe formimi i ekipeve për parandalimin e braktisjes së nxënësve.

Arsimin dhe Aftësimin Profesional: Zgjerimi i arsimit dual në 32 shkolla, me mbi 2,000 nxënës dhe mbi 800 kompani pjesëmarrëse.

Arsimin e Lartë dhe Shkencën: Pjesëmarrje e shtuar në programet Erasmus+ dhe Horizon Europe, mbështetje për mbi 115 studiues dhe zhvillimi i Platformës Kombëtare për Kërkimin Shkencor (KRIS).

Bëhet e ditur se Nagavci dhe sekretarja Dyla vlerësuan bashkëpunimin e departamenteve dhe partnerëve vendorë e ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e transparencës, raportimit të progresit dhe forcimit të inovacionit në sistemin arsimor.

Punëtoria përfundoi me konkluzione për hapat e mëtejshëm në përmirësimin e mekanizmave të zbatimit dhe koordinimit ndërdepartamental.

 


MË SHUME NGA Kosovë