Kelmendi: Ruajtja e integritetit dhe paanshmëria janë detyrime për prokuror
RTKlive
Në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar se mungesa e prokurorëve në raport me numrin e madh të lëndëve mbetet një sfidë serioze për sistemin e drejtësisë.
“Brenda një dite nuk mund të jetë i pranishëm në seancë një prokuror, ndërsa aktakuzën e ka ngritur kolegu i tij. Pasoja e mungesës së mjaftueshme të numrit të prokurorëve është pasojë për sjelljen e drejtësisë për qytetarin”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi tha se Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2024 ka trajtuar mbi 50 mijë raste, ndërsa janë zgjidhur mbi 45 mijë prej tyre.
Sipas tij, për vitin 2025 janë zgjidhur 92.52 për qind të rasteve, ndërsa në nëntëmujorin e këtij viti përqindja e zgjidhjes ka arritur në 95 për qind. Për rastet e korrupsionit, janë zgjidhur 81.40 për qind e rasteve të pranuara.
Kelmendi ka theksuar se ruajtja e integritetit profesional dhe paanshmëria në punë janë detyrime thelbësore për çdo prokuror.
Ai shtoi se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe median është domosdoshmëri për ta përmirësuar imazhin e Prokurorit të Shtetit dhe për ta forcuar besimin e qytetarëve në drejtësi.
"Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje të gjithëve ju, që të ruani pavarësinë tuaj profesionale dhe integritetin tuaj personal. Të veproni me paanshmëri dhe të kundërshtoni çdo tentativë, nga kushdo qoftë, që ka për qëllim cenimin e këtyre dy vlerave themelore. Mos harroni kurrë betimin që keni dhënë për të vepruar vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Besoni se çdo vendim dhe çdo veprim i juaji kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha ai.
Duke shtuar se duhet të jemi të vetëdijshëm se ndershmëria, guximi dhe përkushtimi ndaj së vërtetës dhe drejtësisë duhet të jenë parimet kryesore që udhëheqin çdo prokuror.
"Njohja e thellë e ligjeve, përgatitja profesionale dhe përfaqësimi dinjitoz i aktakuzave dhe interesit publik janë thelbësore për një shoqëri ku ligji zbatohet në mënyrë të drejtë, pa frikë dhe pa privilegje ndaj askujt, dhe ku drejtësia është e barabartë për të gjithë. Këto vlera jo vetëm që e bëjnë një prokuror të aftë dhe me autoritet, por edhe të respektuar, të drejtë dhe të suksesshëm në luftën kundër krimit", tha ai.























