Policia e Ferizajt apelon për kujdes në rrugët malore për shkak të reshjeve
E.H|RTKlive
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar sot tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në rrugët malore të rajonit, për shkak të kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë zonën.
Sipas njoftimit të Policisë, reshjet e shiut kanë shkaktuar rrugë të lagështa, dukshmëri të kufizuar dhe rrezik të shtuar për aksidente trafiku, veçanërisht në akset rrugote Shtërpcë – Brezovicë, Shtërpcë – Prevallë, Kaçanik – Hani i Elezit – Glloboçicë.
Policia paralajmëron se në disa segmente të këtyre rrugëve mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera, që rrezikojnë qarkullimin e automjeteve.
Policia ka këshilluar shoferët që të mbajnë dritat e ndezura për dukshmëri më të mire, të zvogëlojnë shpejtësinë dhe të respektojnë distancën e sigurisë, të shmangin shpërqendrimet, veçanërisht përdorimin e telefonit gjatë ngasjes ,të tregojnë kujdes ndaj pengesave të mundshme në rrugë, si gurë apo rrëshqitje.
Policia Rajonale e Ferizajt rikujton se reshjet e shiut kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes më të madh në trafik, duke theksuar se siguria është në duart e secilit drejtues automjeti.
“Për çdo rast nevoje, incident apo aksident në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin 192, qoftë nga telefonia fikse apo mobile, ose të paraqiten në stacionin më të afërt policer”, thuhet në njoftim.























