Në ShBA themelohet bursë për nder të Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu
BKT
Kosovë

Në ShBA themelohet bursë për nder të Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu

RTKlive

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e Heroit të Kombit, Bahri Fazliu (Gzimi), në Universitetin Sam Houston State University në Shtetet e Bashkuara është themeluar “Bahri Fazliu (Gzimi) Memorial Scholarship”.

Kjo bursë është krijuar falë kontributit të Alban Fetahut, ish-student i këtij universiteti, dhe bashkëshortes së tij, Vjosa Z. Fetahu, ish-studente e Universitetit të Prishtinës.

Qëllimi i bursës është të nderojë kujtimin e Bahri Fazliut dhe të mbështesë studentët që mishërojnë vlerat për të cilat ai jetoi dhe u flijua.

Bahri Fazliu, i njohur edhe me pseudonimin “Gzimi”, ishte poet, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Me vetëm 26 vjet jetë, ai la pas vetes një trashëgimi të pasur frymëzimi, shkrimesh dhe qëndrese, duke u bërë simbol i guximit, dijes dhe dashurisë për atdheun.

Ai ra heroikisht më 7 maj 1998, në luftën për lirinë e Kosovës, duke u bërë frymëzim për brezat që erdhën pas.

Përmes kësaj burse përkujtimore, emri dhe ideali i Bahri Fazliut do të jetojnë përgjithmonë edhe në auditorët e një prej universiteteve prestigjioze amerikane, si dëshmi e respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e tij në rrugën drejt lirisë.

 


MË SHUME NGA Kosovë