‘TIKA` përuron parkun për fëmijë në çerdhen ‘Yllkat’
BKT
Kosovë

‘TIKA` përuron parkun për fëmijë në çerdhen ‘Yllkat’

Arbana Hajredinaj /RTK

Në çerdhen e fëmijëve "Yllkat" u përurua parku i fëmijëve i ndërtuar nga TIKA. Të pranishëm ishin kryetari i përgjithshëm i TIKA-s, ambasadori i Turqisë e nënkryetari i Komunës së Prishtinës.

Në prani të ambasadorit të Turqisë në Prishtinë, kryetarit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim ‘TIKA’, Abdullah Eren, u bë përurimi i këndit të ri të lodrave. Realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë mbështetjes së ‘TIKA-s’ dhe Ambasadës së Turqisë në Prishtinë.

“Turqia me Kosovën e kanë një lidhje të veçantë, një lidhje vëllazërore mes dy shteteve që bazohet në vite të tëra”, tha Eren.

“Në këtë institucion kemi 280 fëmijë që së bashku janë duke u rritur dhe është kënaqësi e veqantë për ne që kemi arritur që të realizojmë një projekt me një kënd të lodrave ku fëmijët do ta rrisin dëshirën për të ardhur këtu”, shtoi ai.

”Është kënaqësi e veçantë për mua që të marr pjesë në këtë përurim. Prapa meje është e shkruar një shprehje në gjuhën angleze ‘All for Smile’ që do të thotë ‘Gjithçka për një buzëqeshje’ dhe mendoj se forca më e madhe që e ka njeriu në jetën e vet është buzëqeshja e fëmijëve”, tha Sabri Tunç Angili.

“Në këtë formë ne kemi krijuar dimension kulturor dhe arsimor për fëmijët tanë duke forcuar lidhjet mes dy popujve dhe duke rritur socializimin mes dy kulturave”, tha Rifadije Sopi, drejtoreshë e çerdhes ‘YLLKAT’.

Presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Abdullah Eren, gjatë ditës e kanë takuar ndaras presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me të cilin kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.


MË SHUME NGA Kosovë