Gusia: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt barazisë
BKT
Kosovë

Gusia: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt barazisë

K. K. / RTKlive

Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, duke vënë në pah kontributin e saj në zhvillimin e politikave publike me perspektivë gjinore dhe në përmirësimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të grave.

Drejtoresha ekzekutive, Edi Gusia, në një intervistë për emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, ka deklaruar se agjencia ka luajtur rol qendror për dy dekada, përmes hartimit të ligjeve, politikave publike, masave administrative dhe organizimit të fushatave vetëdijësuese në nivel vendi.

Sipas saj, progresi i Kosovës në fushën e barazisë gjinore është shumë më i madh sesa që dëgjohet zakonisht në diskursin publik. Ajo rikujtoi se rrugëtimi i grave në politikë ka ndryshuar thellësisht. “Nga koha kur në zgjedhjet e para politike u prezantua kuota për shkak se gratë mungonin në listat zgjedhore, deri te zgjedhjet e fundit, ku mbi 80 për qind e grave në Parlament kanë hyrë me votat e tyre, tregohet qartë ndryshimi pozitiv”, tha Gusia.

Ajo theksoi se institucionet kanë ndërmarrë masa të shumta ndër vite për të adresuar nevojat specifike të grave përmes granteve, subvencioneve dhe programeve që nxisin pjesëmarrjen e tyre në ekonomi, vendimmarrje dhe sektorë të ndryshëm shoqërorë. “Edhe pse progresi nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm, duhet të kuptojmë se po përpiqemi të mbyllim një hendek historik të të drejtave të grave, i cili për gratë shqiptare ka filluar qysh prej Luftës së Dytë Botërore”, theksoi ajo.

Gusia përmendi edhe statistika që dëshmojnë avancimin e grave nëpër institucione. 10 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë gra, në Policinë e Kosovës përfaqësimi i tyre ka arritur në 14 për qind, ndërsa në bordet e ndërmarrjeve publike gratë tani zënë 50 për qind të pozitave.

“Ka ndryshuar shumë, mjafton të shihen sukseset e vajzave kosovare në sport dhe rritja e përfaqësimit në të gjitha fushat”, theksoi ajo.

 


MË SHUME NGA Kosovë