Mungesa e kopshteve po i lë gratë në zona rurale jashtë tregut të punës
BKT
Kosovë

Mungesa e kopshteve po i lë gratë në zona rurale jashtë tregut të punës

Albulena Bytyqi| RTK-Radio

Mungesa e transportit publik dhe e kopshteve publike në zonat rurale të Kosovës po i pengon gratë të kyçen në tregun e punës. Edhe pse Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna të veçanta për zonat rurale, në nivel nacional shihet qartë se gratë janë më pak të përfshira në tregun e punës.

Shqipe Berisha nga fshati Arllat i Drenasit, është njëra nga shumë gratë që nuk mund të punojnë, pasi në fshatin e saj nuk ka kopsht publik ku do të mund ta linte fëmijën 3-vjeçar. “Kam vite që dua të punoj, jam nënë e tre fëmijëve, dy në shkollë dhe një 3 vjeç. Në fshatin tonë nuk ka çerdhe, prandaj nuk mund të punoj”, thotë ajo.

Përveç kësaj, ajo tregon se në lagjen ku jeton mungon edhe transporti publik: “Nuk kemi autobusë që hyjnë brenda fshatit. Për këtë arsye detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi derisa të rriten fëmijët ose të sigurohet transport.”

Drejtori i Arsimit, në Komunën e Drenasit Muhamet Gjoka, tha për Radio Kosovën, se aktualisht ka vetëm një kopsht publik me dy paralele.

“Janë përfunduar pjesët infrastrukturore për dy çerdhe të reja në Arllat dhe Llapushnik, të cilat priten të funksionalizohen vitin e ardhshëm për shkak të mungesës së stafit. Planifikohen edhe dy çerdhe të tjera në fshatra të tjerë të komunës. Po pritet edhe kalimi në objektin e ri të çerdhes, investim i BE-së.”

Drejtori i Shërbimeve Publike, Nexhmedin Gruda, tha se të gjitha fshatrat janë të mbuluara me transport publik, përveç Vasilevës dhe Poklekut të Vjetër, për shkak të mungesës së interesimit nga kompanitë transportuese.  Komuna planifikon ta shpallë sërish konkursin në vitin 2026.

Situatë e ngjashme është edhe në fshatin Buqan të Pejës. Sipas Vlora Latifit nga organizata “Syri i Vizionit”, në fshatin Buqan të Pejës gratë përballen me të njëjtin problem: mungesë transporti dhe kopshte. “Fshati ka rreth 215 gra, shumica të gatshme për punë, por pa mundësi të qasen në tregun e punës. Rreth 60 prej tyre janë të kualifikuara dhe me studime, por e kanë të pamundur punësimin pasi tregu i punës është kryesisht në qytet”, thotë Latifi.  

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Arzu Çukiqi, tha se në fshatin Gorozhup të Prizrenit gratë nuk mund të punojnë pavarësisht kualifikimeve, për shkak të mungesës së kopshteve dhe transportit.
Ajo shton se mungesa e transportit po rrezikon edhe shkollimin e fëmijëve, pasi shumë nëna detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe vetëm babai mund të punojë.

Sipas Rezarta Delibashzade-Krasniqit, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Demokraci për Zhvillim” vetëm 26% e grave në Kosovë janë pjesë e tregut të punës, krahasuar me 61% të burrave. Ndërsa 19% e grave nuk punojnë sepse nuk kanë kujt t’ua lënë fëmijët.

Ajo thekson se mungesa e investimeve në çerdhe, transport publik dhe ekonomi lokale krijon pasoja afatgjata si dobësim të ekonomisë lokale, rritje të varësisë nga skemat sociale, rritje të shpërnguljes nga zonat rurale në zonat urbane, humbje të potencialit ekonomik të grave.

Sipas saj, çdo 1 euro e investuar në transport dhe kujdes të hershëm kthehet me 7–10 euro, duke treguar se investimi në këto fusha sjell përfitime të drejtpërdrejta ekonomike.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më pak se 20% e grave janë të punësuara, duke reflektuar pabarazi të theksuar mes zonave urbane dhe rurale.


MË SHUME NGA Kosovë