Ahmedi: Mbrojtja e fëmijëve është mision i përditshëm për ne
BKT
Kosovë

Ahmedi: Mbrojtja e fëmijëve është mision i përditshëm për ne

K. K. / RTKlive

Në SOS Fshatrat po shënohet me aktivitete Java e të Drejtave dhe Mbrojtjes së Fëmijëve. Arjeta Ahmedi, psikologe, theksoi se mbrojtja e fëmijëve është një mision që të gjithë e kemi gjatë gjithë vitit, përmes punës që realizojmë dhe të gjitha aktiviteteve që zhvillojmë. Megjithatë, duke respektuar dhe vënë në pah rëndësinë e datës 20 nëntor, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Fëmijëve në SOS Fshatra kjo javë u kushtohet tërësisht fëmijëve.

Ajo në emisionin Mirëmëngjesi Kosovë në RTK, theksoi se aktivitetet kanë filluar që nga e hëna dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë javës. Aktivitetet janë të shumta, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në lokacione të tjera si Fushë Kosova dhe Graçanica.

“Përmes punës sonë synojmë që siguria dhe mbrojtja e fëmijëve të jetë përgjegjësi jo vetëm individuale, por të marrë përmasa më të mëdha në aspektin institucional. Për ne është e rëndësishme ruajtja dhe mbrojtja e fëmijëve, mirëqenia dhe zhvillimi i tyre”, tha Ahmedi.

Sipas saj, sfida më e madhe vazhdon të jetë se fëmijët çdo ditë e më shumë përballen me vështirësi të ndryshme në vend, vështirësi që lidhen jo vetëm me aspektin e përgjithshëm social, por edhe me varfërinë, dhunën në familje, situata që i vendosin fëmijët dhe të rinjtë në pozita të pafavorshme.

Ajo shtoi se kanë vazhduar me grupet mbështetëse me prindërit, si dhe me vizitat e fëmijëve tek Avokati i Popullit. Për herë të parë, një fëmijë që është pjesë e kujdesit alternativ do të marrë pjesë në Parlamentin Evropian në Bruksel.

“Është shumë e rëndësishme të dëgjohet zëri i fëmijëve dhe nevojat e tyre”, theksoi ajo.


MË SHUME NGA Kosovë