Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna për borxhet
BKT
Kosovë

Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna për borxhet

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar) Punonjësit e Trafikut Urban të Prishtinës kanë nisur protesta për të kërkuar përgjegjësi nga Komuna për borxhet e grumbulluara ndaj ndërmarrjes. Përfaqësuesi i sindikatës, Ilmi Gashi, ka bërë thirrje që Komuna të marrë masa konkrete për shlyerjen e detyrimeve financiare dhe ka kërkuar falje nga qytetarët për ndërprerjen e shërbimeve të transportit.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka deklaruar se punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kërkojnë përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës për borxhet e deritashme.

Në ditën e dytë të protestës, Gashi ka kërkuar falje për ndërprerjen e shërbimeve dhe ka kërkuar që Komuna të marrë përgjegjësinë për shlyerjen e borxhit.

“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve të Prishtinës që e kanë përdorur transportin publik, trafikun urban dhe atë privat në bashkëpunim me Komunën, për shkak të mosveprimit të komunës. Në bazë të kontratave, Komuna është borxhli i Trafikut Urban. Shuma e borxhit është 3.2 milionë euro”, ka theksuar ai.

Gashi ka shtuar se Ministria e Financave i ka alokuar 3.2 milionë euro komunës, por nga kjo shumë, komuna ka ndarë vetëm 600 mijë euro për 'Trafikun Urban'.

“Nuk mbulon shpenzimet për naftë, që arrijnë një milion euro, 800 mijë euro për rroga të punëtorëve dhe 100 mijë euro për sigurimin shëndetësor. Kështu mbetet një borxh prej 1.6 milionë eurosh. Komuna nuk po reflekton dhe na detyron neve, duke pretenduar se Ministria nuk ka alokuar mjetet. Ne kemi qenë në Ministri dhe u takuam me ministrin. Ai u zotua se, nëse Komuna ose Asambleja miraton një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024 dhe e dërgon tek ministria, mjetet do të alokohen. Ne jemi sektori publik i transportit. Thërrasim komunën dhe kryetarin që të dalë para qytetarëve. Ne jemi punëtorë të komunës dhe është e drejtë jonë të kërkojmë përgjegjësi aty. Ku është ai që e hap derën? Le të marrë përgjegjësinë e tij”, ka theksuar Gashi.

S`ka autobusë, qytetarët e Prishtinës përballen me mungesën e transportit

Qytetarët e Komunës së Prishtinës as sot nuk do të kenë transport publik. Linjat e autobusëve të Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë vazhduar pezullimin e punës, duke protestuar nëpër rrugët e kryeqytetit.

Ndërsa dje ata pezulluan të gjitha linjat, forma e kundërshtimit të tyre sot ka qenë protesta deri te objektet e Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës.

Dhjetëra autobusë të Trafikut Urban, të rreshtuar njëri pas tjetrit, nisën protestën që nga mëngjesi, duke shkaktuar kolona të gjata në trafik.

Në ndërkohë, stacionet e autobusëve në kryeqytet duken të boshatisura për shkak të mungesës së linjave. Shumë qytetarë janë detyruar të ecin në këmbë për të shkuar në punë ose për të kryer ndonjë shërbim komunal ose administrativ.

Përfaqësues të Trafikut Urban kërkuan reagim urgjent, duke paralajmëruar se kriza po godet drejtpërdrejt familjet e qindra punëtorëve. Ata thanë se nuk do të heqin dorë nga protestat deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Qeverinë e Kosovës për bllokim fondesh, ndërsa ministri në detyrë Hekuran Murati tha se Komuna e Prishtinës ka pasur rreth 3.2 milionë euro në llogari, por nuk i ka kryer pagesat, duke bërë beteja politike.


MË SHUME NGA Kosovë