Transporti publik mbetet i pezulluar deri në bartjen e mjeteve buxhetore
RTKlive
Ndërmarrja “Trafiku Urban” në Prishtinë ka njoftuar se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore, pavarësisht se Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e buxhetit nga viti 2024.
Në komunikatë thuhet se ndërmarrja shpreh “keqardhje të thellë për shqetësimet dhe vështirësitë” që po u shkaktohen qytetarëve nga ndërprerja e shërbimit, duke theksuar se transporti publik është esencial për lëvizjen e përditshme.
Sipas ndërmarrjes, edhe pse bartja e mjeteve është votuar, “këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore”. Për këtë arsye, N.P.K. “Trafiku Urban” thotë se aktualisht është “në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve”, duke pamundësuar rifillimin e operimit normal.
Në deklaratë, kompania kërkon që institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë procedurat: “E shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet… të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit.”
Deri në realizimin e këtyre obligimeve, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban “do të vazhdojë”.
Ndërmarrja njofton edhe se për biletat mujore të paguara, “do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin”.
“Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë,” thuhet njoftim.























