Mesini: Sfidë mbetet përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim
K. K. / RTKlive
Sot 3 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Përfaqësuesja e shoqatës HANDIKOS, Kaltrina Mesini, ka theksuar se sfida më urgjente në Kosovë mbetet përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Mesini tha se sipas statistikave të MAShT-it dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2024, nga gjithsej 212 mijë nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, vetëm 3,666 janë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ky numër, sipas saj, tregon “përfshirje tejet të ulët në edukimin e rregullt”.
Ajo theksoi se edhe pse ndër vite ka pasur përmirësime, sfidat mbeten të shumta nga qasja infrastrukturore, te punësimi, e deri te pjesëmarrja e plotë e personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore.
“Gjatë këtij viti nuk ka pasur lëvizje në këtë aspekt. Ne si HANDIKOS, duke monitoruar disa elemente të qasjes në Komunën e Prishtinës, kemi vërejtur se edhe ndërtimet e reja janë bërë pa qasje, qoftë trotuaret, rrugët publike, madje edhe objektet shkollore. Për objektet e vjetra as që bëhet fjalë, pasi janë lënë krejt anash”, shtoi ajo.























