SBASHK në konferencën e parë të projektit evropian TAC
K. K. / RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përfaqëson mësimdhënësit e Kosovës në Romë, në konferencën e parë të projektit evropian “Mësimdhënia Rreth Orës (TAC)”, të organizuar nga ETUCE.
Në një njoftim për media SBASHK-u thekson se në Romë po përfaqësohet nga nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri, të cilët po kontribuojnë në diskutimet profesionale dhe po paraqesin qartë sfidat, përvojat dhe realitetin e mësimdhënësve tanë.
“Çfarë u diskutua në hapjen e konferencës? Në fillim u prezantua agjenda dhe objektivat e projektit TAC, i cili synon të sjellë një pasqyrë të saktë dhe të bazuar në të dhëna të ngarkesës së vërtetë të punës së mësuesve në Evropë”.
“U theksua se shumë punë e mësuesve mbetet “e padukshme”, si përgatitja e mësimeve, vlerësimi, komunikimi me prindërit dhe detyra të tjera që tejkalojnë orarin e planifikuar”, thuhet në njoftim.
Përfaqësues nga vende të ndryshme evropiane Belgjika, Gjermania, Danimarka, Polonia dhe të tjera prezantuan gjetje kërkimore mbi: orarin real të punës së mësuesve, ndikimin e stresit dhe përgjegjësive shtesë, diferencat e mëdha ndërmjet vendeve në paga dhe kushte pune, mungesën e investimeve në arsim, sfidat e sigurisë profesionale dhe mungesën e mësuesve të kualifikuar.
SBASHK-u thotë se këto të dhëna treguan qartë se ngarkesa e tepërt e punës dhe presioni i vazhdueshëm po ndikojnë në shëndetin, motivimin dhe cilësinë e procesit mësimor. U prezantuan gjithashtu studime që tregojnë se stresi i akumuluar i mësuesve ka pasoja të drejtpërdrejta në cilësinë e të nxënit.
SBASHK do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e dialogut social evropian dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve të arsimit në çdo nivel. Ne besojmë se një arsim cilësor ndërtohet me mësues të vlerësuar, të respektuar dhe të mbështetur.























