Policia përmbyll fushatën kundër dhunës me bazë gjinore
BKT
Kosovë

Policia përmbyll fushatën kundër dhunës me bazë gjinore

E.Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor në të gjitha komunat e vendit.

Në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia realizoi një sërë aktivitetesh vetëdijësuese, përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

"Njësitë e Policimit në Bashkësi zhvilluan takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, duke theksuar rëndësinë e parandalimit të dhunës me bazë gjinore", thuhet në njoftim.

Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes për fushatën globale kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet final u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Tutje ky institucion apelon se lufta kundër dhunës nuk përfundon me fushatën – ajo është një përgjegjësi e përditshme.


MË SHUME NGA Kosovë