Të drejtat e komuniteteve RAE në fokus të institucioneve e shoqërisë civile
Sh.Ç|RTKlive
Zyra e Kryeministrit, në partneritet me Terre des hommes në Kosovë, VoRAE dhe Fondacionin HEKS, organizoi konferencën “Avancimi i të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian – arritjet dhe sfidat”, ku u diskutuan politikat gjithëpërfshirëse, lufta kundër diskriminimit dhe roli i shoqërisë civile.
Udhëheqësja për Bashkëpunim në Zyrën Zvicerane në Kosovë, Beate Elsässer, vuri në pah mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për shoqërinë civile dhe zbatimin e Kornizës Strategjike të BE-së për Përfshirjen e Romëve, përfshirë projektin SORAE.
“Pjesëmarrja qytetare dhe përfshirja sociale janë vlera themelore për ne. Ne i promovojmë ato për të siguruar që institucionet të jenë përgjegjëse ndaj nevojave të ndryshme të qytetarëve dhe që askush të mos lihet pas”, deklaroi Elsässer, duke theksuar se përfshirja sociale dhe mbështetja për OShC-të janë kyçe për qeverisje të mirë dhe zhvillim të drejtë.
Drejtori për të drejta të njeriut në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini, e cilësoi samitin si model rajonal për luftimin e diskriminimit dhe riafirmoi prioritetet qeveritare.
“Ky samit është shembull për rajonin. Qeveria e Kosovës ka krijuar mekanizma për parandalimin e diskriminimit dhe ka vendosur si prioritet Strategjinë Kombëtare për Përfshirjen e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, tha Hajredini. Sipas tij, korniza ligjore dhe buxhetimi për përfshirje në nivel lokal mbeten thelbësore.
Nga ana e shoqërisë civile, Drejtori Ekzekutiv i VoRAE, Isak Skenderi, theksoi rëndësinë e angazhimit kolektiv për ndryshim të qëndrueshëm.
“Përparimi nuk është rezultat i vizionit të një individi të vetëm. Ndryshimi ndodh vetëm kur ai vizion ndahet dhe përqafohet nga të tjerët”, u shpreh Skenderi.
Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe OShC-ve është vendimtar për barazi dhe dinjitet.
Konferenca shërbeu si platformë për vlerësimin e arritjeve dhe adresimin e sfidave në arsim, strehim dhe punësim, me synim ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse në Kosovë dhe rajon.























