Banorët e Malishevës përballen me reduktime të energjisë gjatë festës
Valjeta Shala / RTK
Pavarësisht njoftimeve të KEDS se është angazhuar për furnizim me energji gjatë festave të fundvitit dhe natës së ndërrimit të motmoteve, banorët e Komunës së Malishevës vazhdojnë të përballen me reduktime të ashpra të rrymës.
Aktualisht, në disa zona të komunës, përfshirë fshatrat Kijevë, Mleqan dhe fshatrat përreth, furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë i ndërprerë dhe i paqëndrueshëm.
Sipas banorëve, reduktimet po ndodhin në intervale të shpeshta, me nga dy orë pa rrymë. Kjo situatë thonë se po shkakton vështirësi të mëdha, sidomos gjatë festave të fundvitit.
Banorët kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe festive nevojat janë më të mëdha, veçanërisht për përgatitjet e ndërrimit të moteve dhe organizimin e festimeve familjare.























