Përmbytje në Has pas daljes nga shtrati të lumit Drin |VIDEO
Myrvete Axhami/RTK
Si pasojë e daljes nga shtrati, lumi Drin ka shkaktuar vërshime të mëdha në amvisëri e biznese në Gjonaj dhe Krajk të zonës së Hasit. Më të moshuarit nuk e mbajnë mend një situatë të tillë, ndërsa kanë shpresë se institucionet do t’u vijnë në ndihmë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë.
Plaku 79-vjeçar, Qerim Cikaj nga fshati Gjonaj, thotë se prurjet e sivjetme të Drinit janë më të lartat që ai mban mend ndonjëherë.
“Këto prurje të mëdha kanë ndikuar që Drini të del nga shtrati i tij dhe të shkaktojë përmbytje në dhjetëra objekte banimi të këtij lokaliteti,” thotë Qerim Cikaj, banor i fshatit Gjonaj.
Banorët tregojnë për momentet kur uji po depërtonte në shtëpitë e tyre, duke iu shkaktuar dëme të mëdha në amvisëri, mjete të ndryshme dhe të tjera.
Pronarët e shtëpive të dëmtuara nga vërshimet shpresojnë se institucionet shtetërore do t’u dalin në ndihmë për kompensimin e dëmeve, të cilat janë shumë të mëdha.
Përveç fshatit Gjonaj, situatë e ngjashme e rënduar nga përmbytjet është edhe në fshatin Krajk, ndërsa për shkak të pranisë së sasisë së madhe të ujit, është bllokuar për qarkullim rruga që lidh këto dy lokalitete dhe pjesët tjera të zonës së Hasit.























