Uji i pijshëm i pasigurt në disa zona për shkak të turbullirës nga reshjet
Valjeta Shala|RTK
Reshjet e shumta në Kosovë kanë shkaktuar rritje të turbullirës në liqenet akumuluese, duke vështirësuar furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm. Si pasojë, në disa zona të vendit uji aktualisht nuk rekomandohet për pije.
Si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale, me intensitet të lartë vazhdon të monitorojë cilësinë e ujit të pijshëm në gjithë territorin e vendit. Reshjet, që si pasojë shkaktuan vërshime në disa zona, kanë shkaktuar edhe turbullira, duke lënë pa ujë të pijshëm shumë vende.
Bazuar në të dhënat e Institutit, ujë është i sigurt për pije në disa zona, përfshirë Shkabajn, Batllavën, Drenasin, Lipjanin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn dhe komunat veriore, si dhe në Ferizaj, Shtërpcë, Gjilan, Pejë, Junik, Gjakovë, dhe në burimin “40 Bunarët” në Prizren, Suharekë e Dragash.
Ndërkohë, uji nuk rekomandohet për pije dhe duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike në Vragoli e Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës, Han të Elezit, Viti, disa zona të Deçanit, Malishevë dhe burimin e Jarinës në Klinë, për shkak të turbullirës së rritur.
Për shkak të rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, uji ende nuk rekomandohet për pije.
“Kemi njoftuar se uji nuk mund të përdoret për pije, por vetëm për higjienë shtëpiake. Ai mund të përdoret për ushqim vetëm nëse vlohet. Situata nuk është shqetësuese, por rekomandohet që uji të mos pihet, pasi turbullira vërehet edhe me sy të lirë në rubinete. Shpresojmë që kjo gjendje të stabilizohet shumë shpejt. Bazuar në përvojat e kaluara, kjo mund të zgjasë dy deri në tri ditë”, thaksoi Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.
Lagjet e prekura në kryeqytet janë Mati 1, Kodra e Diellit, Sofalia dhe lagje të tjera që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit.























