Banorët e Koliqit protestojnë për ndërprerjet e rrymës|Video
Qendresa Duraku / RTK
Banorët e fshatit Koliq u mblodhën pranë trafos së fshatit për të shprehur pakënaqësinë ndaj ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, që sipas tyre, po vazhdojnë prej vitesh.
Ata thonë se jo vetëm mungesa e rrymës, por edhe furnizimi me tension të dobët, po u shkakton dëme të mëdha në amvisëri.
“Është një lagje që është në zhvillim e sipër, janë ndërtuar shumë shtëpi dhe vila, dhe rrjeti elektrik nuk ka kapacitet t’i furnizojë këto familje , duke filluar nga shtyllat, kabllot dhe trafoja që është aty. Andaj kërkesa jonë është që të intervenohet në rrjetin elektrik, sepse po kemi dëme të mëdha. Rasti i fundit ishte kur rryma ka qenë aq e dobët sa ndriçonte vetëm një llambë e vogël dhe banorët kanë thirrur në KEDS dhe kanë kërkuar që të ndalet rryma, sepse të gjitha pajisjet ishin afër djegies dhe kishte rrezik që edhe shtëpitë të digjeshin. Sa i përket dëmeve në amvisëri, kemi pasur shumë, duke filluar nga televizorët e frigoriferët", ka thënë Bedri Hajzeri, kryetar i fshatit Koliq.
Ndonëse kanë bërë vazhdimisht kërkesa pranë kompanisë së distribucionit të energjisë elektrike, banorët thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për një furnizim të rregullt.
“Kjo protestë vjen për arsye se disa herë kemi bërë kërkesa, kemi përsëritur kërkesat te kompanitë përgjegjëse të KEDS-it dhe deri më tash nuk kanë ndërmarrë asgjë për furnizimin e rregullt me energji elektrike në Koliq. Ky është një problem që po e theksoj për fshatin Koliq, por ky problem na përcjell gjithë Gollakun dhe jeni në dijeni se edhe më herët kemi pasur organizime të tilla. Mirëpo, ne si fshat e kemi pasur të tepërt që sa herë organizohemi me kërkesa dhe i drejtohemi KEDS-it, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje prej tyre", ka shtuar Hajzeri.
Përveç jetës familjare, ndërprerjet e rrymës po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht në bizneset lokale dhe turizmin.
“Ne si komunitet dhe biznese sot jemi mbledhur për të protestuar për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe të tejzagjtura të energjisë elektrike. Ne si banorë të fshatit Koliq nuk pranojmë në asnjë mënyrë të mbetemi pa shërbime bazike dhe elementare për të jetuar dhe punuar në këtë fshat. Kërkesa jonë u është drejtuar institucioneve përgjegjëse që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike, sepse tanimë Koliqi është një fshat turistik dhe po pëson humbje të mëdha ekonomike, duke përfshirë prishjen e pajisjeve elektrike sa herë që ndalet rryma. Për më tepër, edhe vizitorët po largohen, pasi nuk po mundemi t’u ofrojmë shërbimet bazike për të vizituar këtë vend”, ka thënë Xhevahire Beqiri, banore e fshatit.
Banorët paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata do të vazhdojnë protestat edhe në ditët në vijim.
Radiotelevizioni i Kosovës ka bere përpjekje për të marrë një qëndrim nga kompania e distribucionit të energjisë elektrike, KEDS, por deri në momentin e përgatitjes së kësaj kronike, nuk ka pasur përgjigje zyrtare.























