Mësimnxënia pa barriera: Historia frymëzuese e Uran Hamitit
BKT
Kosovë

Mësimnxënia pa barriera: Historia frymëzuese e Uran Hamitit

Qendresa Duraku /RTK

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ju sjellim historinë e Uran Hamitit, një nxënës 11-vjeçar nga Prishtina, fëmijë me çrregullim të spektrit të autizmit, i cili përmes muzikës, librit dhe përkrahjes së vazhdueshme në shkollë, po dëshmon se arsimi gjithëpërfshirës nuk është vetëm e drejtë, por edhe mundësi reale për zhvillimin e talentit dhe suksesit.

Urani është nxënës i klasës së gjashtë dhe fëmijë me çrregullim të spektrit të autizmit. Ai karakterizohet nga inteligjencë e lartë dhe talent i veçantë artistik, veçanërisht në muzikë. Përmes përkushtimit dhe mbështetjes së vazhdueshme, Urani ka arritur të shndërrojë pasionin e tij në sukses të matshëm.

Ai luan piano, i pëlqen letërsia, arti figurativ, sporti e piktura. Paralelisht me shkollën e rregullt, Urani ndjek edhe shkollën e muzikës, ku është në klasën e pestë me ç`rast është fitues i disa çmimeve.

"Çmimet që i kam marrë në piano, janë tre çmimet e para te artisti i ri 2020-2021-2022. çmimi ‘Viva piano 2023’ çmimi i tretë në Sofije të Bullgarisë. Jam ndje shumë krenar që e kam bërë shumë krenar shkollën dhe më kanë vendosur në revistën e muajit prill të vitit 2023", thotë Uran Hamiti, nxënës.

Përveç muzikës, Urani shfaq interesim të veçantë edhe për lëndët shkollore. Dashuria për librin është një tjetër shtyllë e zhvillimit të tij. Ai ka lexuar një numër të konsiderueshëm veprash letrare për fëmijë dhe të rinj.

"Disa nga lektyrat shkollore që kam lexuar deri më tani janë; “Ndodhitë e karotës" nga Ymer Elshani, "Misteri i Elfeve" nga Jeronim Silton, "Udhëtim në qendër të Tokës" nga Zhyl Vern, "Rreth botës për 80 ditë" nga Zhyl Vern e treguar nga Roberto Piomini, "Donkishoti i Manqes" nga Migel de Servates, "Krishtlindjet e Stilton nga Jeronim Stilton, e të tjera", thotë ai.

Për angazhimin dhe suksesin e tij, Urani është vlerësuar nga të gjithë.

"Urani si fëmijë i vogël ka pasur interesim, do të thotë thjesht e ka gjetur ngushëllimin pasi që ka pak vështirësi në socializim. Zakonisht kur janë mbledh fëmijët e tjerë, Urani nuk ka shprehur interesim që të jetë me ta, ka marrë një libër edhe nëse në atë kohë nuk ka arrit të lexoj, mirëpo është marrë me figura brenda librit se e ka gjet një përmbajtje”, thotë Hatixhe Hamiti, e ëma e Uranit.

"Urani është një fëmijë shumë social, një fëmijë i qetë, shumë kureshtar për botën për rreth. Kështu për neve si staf profesional por edhe si staf pedagogjikë të mësimdhënësve, është kënaqësi e madhe që të punojmë me të”, thotë Egzonë Bulliqi, psikologe e shkollës "Meto Bajraktari" në Prishtinë.

"Tek Urani kur e kemi pasur periudhën e vlerësimeve, Urani nuk ka qenë ndoshta për një pikë që nuk e ka marrë, nuk ka qenë i kënaqur me vetveten dhe të analiza e testeve të ndryshme, ka tentua që me arrit atë që nuk ka qenë i kënaqur. Nuk ka luftua për notë, mirëpo çdo herë për dije", thotë Afërdita Bytyqi, mësimdhënëse e gjuhës shqipe dhe kujdestare klasore

Ai ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët e tij.

"Për ditën ndërkombëtare të arsimit u them bashkëmoshatarëve, ndjejeni këtë ditë si lumturi dhe mëso bashkë me arsimtarët që keni dhe ruajeni shkrimin që keni", thotë Uran Hamiti.

 


MË SHUME NGA Kosovë