Reshjet e shiut në Viti, komuna: Të gjitha rrugët janë të kalueshme
BKT
Kosovë

Reshjet e shiut në Viti, komuna: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Emine Hoti/RTKlive

Komunën e Vitisë  thotë se edhe përkundër reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, gjendja paraqitet stabile.

“Aktualisht, të gjitha rrugët janë të kalueshme, megjithatë kërkohet kujdes i shtuar nga pjesëmarrësit në komunikacion, pasi uji ka depërtuar në disa segmente rrugore, veçanërisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc”, thuhet në njoftimin e Komunës.

U.d. i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e kësaj drejtorie, po intervenon vazhdimisht për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.

Sipas Hazirit, është intervenuar edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ardhur deri te shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga për momentin është e qarkullueshme.

Nga autoritetet komunale u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku ka prani të ujit në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo nevojë eventuale.


MË SHUME NGA Kosovë