Policia intensifikon operacionet në veri për parandalimin e kriminalitetit
Visar Shatrolli/ RTK
Policia e Kosovës ka intensifikuar aksionet e saj edhe në fillim të këtij viti në veri të vendit, duke zbuluar dhe konfiskuar sasi të mëdha armatimi. Gjatë javës së kaluar, në disa lokacione në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, autoritetet e sigurisë kanë gjetur armë, municion dhe eksploziv, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Policia e Kosovës edhe në këtë fillimvit ka zhvilluar aksione në veri të vendit duke konfiskuar sasi të madhe armatimi. Vetëm gjatë javës së kaluar, autoritetet e sigurisë kanë zbuluar disa arsenale armësh në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, në kuadër të operacioneve të vazhdueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë. Rudari i Vogël, fshati Joshevik në Zveçan, si dhe fshati Jagnjenicë në Zubin Potok, janë vetëm disa nga zonat ku janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion në sasi të konsiderueshme.
Policia e Kosovës në veri të vendit thotë se rastet të tilla vazhdojnë të hulumtohen e evidentohen, derisa bëjnë me dije se angazhimi i tyre në parandalimin e krimit është i vazhdueshëm. “Si rezultat i këtyre informacioneve na që i marrim nga komuniteti andaj edhe ne veprojmë edhe në këto raste kemi dal kemi vepruar kemi gjetur armatim kryesisht nëpër shtëpi të pabanuara" thotë Erduan Baliqi, shef i Planifikimit Rajonal në PK në veri.
Njohës të sigurisë vlerësojnë punën e Policisë së Kosovës, kur dihet që Serbia në vazhdimësi bën përpjekje destabilizuese të vendit.
“Ka bashkëpunim sepse qytetari matanë lumit Iber pa marrë parasysh përkatësinë etnike po e lajmëron atë ilegalitetin, po e lajmëron atë që është në kundërshtim me ligjin. Në aspektin e sigurisë së jashtme ne e dimë fare mirë nga na vjen kërcënimi. Kërcënimi gjithmonë na ka ardhur nga Serbia e do të na vjen deri sa ta njeh Kosovën...”, thotë Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë .
Që nga sulmi terrorist i një formacioni paraushtarak serb në Banjskë dhe ai mbi kanalin e Ibër Lepencit në Varragë të Zubin Potokut, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka hasur dhe sekuestruar armatim të shumtë në veri të vendit.























