Dili: Kontratat paramartesore dhe martesore krijojnë siguri juridike
BKT
Kosovë

Dili: Kontratat paramartesore dhe martesore krijojnë siguri juridike

Kimete Kasumi/ RTKlive

Avokati Bajram Dili, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se kontratat paramartesore nuk duhet të kuptohen vetëm si marrëveshje që lidhen para martesës, pasi ato mund të nënshkruhen edhe gjatë martesës.

Sipas tij, këto kontrata shërbejnë për rregullimin e çështjeve pasurore dhe financiare ndërmjet bashkëshortëve dhe nuk kanë të bëjnë me mungesë besimi, por me krijimin e sigurisë juridike për të ardhmen.

Ai theksoi se kontrata paramartesore apo martesore duhet të jetë e shkruar, e lidhur me pëlqimin dhe vullnetin e lirë të palëve dhe e nënshkruar para noterit. Në të, bashkëshortët mund të përcaktojnë pasurinë e fituar para dhe gjatë martesës, bizneset, të ardhurat, trashëgimitë dhe dhuratat.

Ai sqaroi gjithashtu se këto kontrata nuk mund të rregullojnë çështje që lidhen me fëmijët, si kujdestaria apo alimentacioni, pasi këto vendime merren ekskluzivisht nga gjykata, duke pasur parasysh interesin më të mirë të fëmijës.

Sipas tij, edhe pse Ligji për Familjen në Kosovë nuk i rregullon në mënyrë eksplicite kontratat paramartesore, ekzistojnë baza ligjore që u mundësojnë çifteve lidhjen e tyre. Ai shtoi se në vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Evropën Perëndimore, këto kontrata janë praktikë e zakonshme, ndërsa në Kosovë interesimi për to është në rritje, veçanërisht tek çiftet e reja.

Tutje ai tha se se kontratat paramartesore ndihmojnë në shmangien e konflikteve, procedurave të gjata gjyqësore dhe mosmarrëveshjeve pas ndarjes apo shkurorëzimit, duke kontribuar edhe në uljen e rasteve të dhunës pas divorcit.

"Martesa mbetet një institucion i shenjtë, i ndërtuar mbi dashurinë, respektin dhe besimin, ndërsa kontrata paramartesore nuk e cenon këtë besim, por e forcon atë përmes sigurisë juridike", pohoi ai.


MË SHUME NGA Kosovë