AMC organizon klasa këshilluese, mbi 2500 nëna përfituese të programit
BKT
Kosovë

AMC organizon klasa këshilluese, mbi 2500 nëna përfituese të programit

Shqipe Gashi|RTKlive

Në programin e mëngjesit në Radiotelevizionin e Kosovës, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë, Rina Demiri Spahija, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Action for Mothers and Children (AMC), ka folur për klasat këshilluese që kjo organizatë po i organizon për nënat dhe familjet e foshnjave.

Ajo bëri të ditur se qëllimi i këtyre klasave është orientimi dhe këshillimi i nënave që para lindjes, gjatë procesit të lindjes, si dhe pas saj, duke përfshirë kujdesin për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

“Programi Klasat për Nëna është një ndër programet më të qëndrueshme dhe më të rëndësishme të organizatës sonë Action for Mothers and Children. Ky program është inkorporuar brenda qendrave të mjekësisë familjare në 17 komuna të Kosovës”, ka deklaruar Demiri Spahija.

Sipas saj, përmes avokimit të vazhdueshëm, AMC ka arritur që programi të përfshihet në dhomat për edukim dhe promovim shëndetësor, hapësira këto të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo theksoi se gjatë 10 viteve të fundit, organizata ka trajnuar dhe ka ngritur kapacitetet e infermierëve që punojnë në qendrat e mjekësisë familjare, me qëllim që t’u ofrojnë kujdes dhe këshilla profesionale nënave.

“Këto klasa janë aktive në komuna si Ferizaj, Kaçanik, Viti, Lipjan, Prishtinë, Mitrovicë dhe komuna të tjera, ku infermierët e trajnuar këshillojnë nënat sipas fazës në të cilën ndodhen në procesin e krijimit të familjes”, u shpreh ajo.

Demiri Spahija bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, më shumë se 2500 nëna kanë qenë përfituese të këtij programi. Ajo shtoi se një zhvillim pozitiv është edhe përfshirja e baballarëve në këto klasa.

“Me shumë krenari e themi se tash edhe baballarët po përfshihen në marrjen e këshillave dhe në ndarjen e barabartë të përgjegjësive për kujdesin ndaj fëmijëve”, ka theksuar Demiri Spahija.

Programi “Klasat për Nëna” synon të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve, si dhe në forcimin e rolit të familjes në kujdesin shëndetësor parësor në Kosovë.


MË SHUME NGA Kosovë