‘Liria ka Emër’ merr mbështetje në Kaçanik për marshin e 17 shkurtit
Kimete Kasumi/ RTKlive
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë vizituar sot komunën e Kaçanikut, me ç’rast janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Sabedin Vishi.
Sipas njoftimit, Tasholli dhe Hoxha e kanë njoftuar kryetarin Vishi me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
“E falënderojmë kryetarin për pritjen që na e bëri dhe gatishmërinë e tij për ta mbështetur pa rezervë marshin”, tha Tasholli.
“Të gjithë bashkë, me kryetarin e Kaçanikut, me ekzekutivin, me kuvendin dhe me qytetarët i ftoj t’i bashkohen marshit”, shtoi Hoxha.
Kryetari i komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë marsh.
“Ftoj qytetarët e Kaçanikut që t’i bashkëngjiten marshit paqësor. Drejtësi për çlirimtarët, jo politikë”, tha Vishi.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synim të mobilizimit sa më të gjerë qytetar për marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”.























