Malaj vizitoi Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë
Afet Bela|RTKlive
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj,ka qëndruar sot për vizitë në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ku ka shprehur mirënjohje institucionale për kontributin e këtij institucioni në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Gjatë vizitës, ambasadori Malaj u prit nga drejtori ekzekutiv i spitalit, Hilmi Shala, së bashku me menaxhmentin, stafin shëndetësor dhe stafin mbështetës.
Me këtë rast, ambasadori u informua për organizimin e punës, shërbimet që ofron spitali dhe angazhimin profesional të stafit në trajtimin e pacientëve nga Kosova dhe Shqipëria.
Në kuadër të vizitës, ambasadori Malaj vizitoi edhe ambientet e spitalit, ku u njoh nga afër me proceset e punës dhe pa drejtpërdrejt përkushtimin e stafit shëndetësor në ofrimin e kujdesit shëndetësor ndaj pacientëve.
Ambasadori Petrit Malaj theksoi rëndësinë e Spitalit të Gjakovës në nivel rajonal dhe falënderoi stafin për angazhimin dhe humanizmin e treguar ndër vite ndaj qytetarëve shqiptarë që kanë përfituar shërbime shëndetësore në këtë institucion.























