Komuna mbështet kompaninë e pastrimit për mbledhjen e mbeturinave inerte
Valjete Shala|RTK
Menaxhimi i mbeturinave inerte përbën një nga sfidat kryesore mjedisore në Kosovë, veçanërisht në zonat urbane ku zhvillimet ndërtimore janë në rritje të vazhdueshme.
Në këtë drejtim, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë hapa konkretë për ta adresuar këtë problem, duke njoftuar se do t’i ofrojë mbështetje kompanisë së pastrimit për mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave inerte.
Hedhja e mbeturinave, veçanërisht atyre inerte, pa vend, është shndërruar në një dukuri të shpeshtë në Kosovë, sidomos në kryeqytet.
Nëpër skaje të kontejnerëve për mbeturina në shumë zona të Prishtinës, shihen grumbuj mbeturinash të orendive të ndryshme, vaska e shtretër, kolltukë e mbetje ndërtimore, që nuk konsiderohen si mbeturina amvisërie, që mblidhen nga kompania e pastrimit.
Teksa gjendja duket se është rënduar, zyrtarë komunalë të kryeqytetit dhe ato të pastrimit, kohë pas kohe premtojnë se do të ketë një zgjidhje.
Për më tej, Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja Rajonale “Pastrimi” kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi, në të cilën janë përcaktuar kriteret e ndihmës konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Marrëveshja që synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e pastërtisë urbane, ka një kohëzgjatje prej dy vjetësh dhe mund të ndryshohet ose ndërpritet vetëm me marrëveshje të ndërsjellë ose me njoftim paraprak prej 30 ditësh nga cilado palë.
Ndërkohë që qytetarëve u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm për hapësirat publike.























