Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka deklaruar se Mitrovica do të ketë një spital të ri me hapësira moderne dhe shërbime të plota shëndetësore.
“Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia. Diskutuam në lidhje me sektorin e shëndetësisë, posaçërisht për projektet që do të realizohen në Mitrovicë nga kjo ministri si dhe për ecurinë dhe dinamikën e realizimit të projektit për ndërtimin e spitalit”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka theksuar se Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo Qeveria Kurti 3 të formohet.
Peci mes tjerash ka njoftuar se gjatë takimit me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, është shqyrtuar mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të QKMF-së.
"Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt madhor të jetësohet sa më parë", ka theksuar ai.























