ZKA nis fushatë vetëdijësuese për auditimin dhe qeverisjen e mirë
BKT
Kosovë

ZKA nis fushatë vetëdijësuese për auditimin dhe qeverisjen e mirë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur një fushatë vetëdijësuese me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për rolin dhe ndikimin e auditimit në qeverisjen e mirë, transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Kjo fushatë synon ta afrojë më shumë ZKA-në me qytetarët dhe t’i informojë ata për mënyrën se si shpenzohen fondet publike. Fushata do të realizohet në gjashtë komuna të Kosovës, përfshirë Pejën, Prizrenin, Ferizajn, Gjilanin, Mitrovicën e Jugut dhe Prishtinën, përmes takimeve me qytetarë, nxënës të shkollave të mesme, përfaqësues të institucioneve dhe mediave.

Auditorja e përgjithshme Vlora Spanca në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se auditimi është një verifikim i pavarur i shpenzimit të parasë publike dhe një mekanizëm kyç për sigurimin e transparencës dhe menaxhimit të mirë financiar. Ajo bëri me dije se ZKA, përveç auditimeve të detyrueshme vjetore të ministrive, komunave dhe agjencive publike, zhvillon edhe auditime të performancës që vlerësojnë efektivitetin, efikasitetin dhe vlerën për para të fondeve publike. Sipas saj, një nga arsyet kryesore për nisjen e kësaj fushate është niveli i ulët i vetëdijes së qytetarëve për rolin e ZKA-së, i evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare të progresit për Kosovën.

Auditorja e përgjithshme tha se qytetarët gjithnjë e më shpesh po adresojnë shqetësime dhe sinjalizime pranë ZKA-së, të cilat merren parasysh gjatë planifikimit të auditimeve, veçanërisht në fushat që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e tyre.

Në kuadër të fushatës, ZKA do të mbajë ligjërata edhe në shkolla të mesme, me synim edukimin e të rinjve për rëndësinë e auditimit dhe promovimin e profesionit të auditorit publik.

Spanca theksoi se auditimi publik është një mision në shërbim të qytetarëve dhe një mjet për forcimin e besimit në institucionet publike.


MË SHUME NGA Kosovë