Vazhdojnë aktivitetet e manifestimit tradicional `Flaka e Janarit`
Kimete Kasumi/ RTKlive
Po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të manifestimit tradicional "Flaka e Janarit", edicioni i 35-të, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sipas njoftimit, aktivitet pasditen e së enjtes kanë vazhduar me Festivalin e Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës” në Teatrin e Qytetit dhe aktivitetin artistik “Këngët e Jusufit” në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”.
Derisa sonte në orën 20:00 mbahet Festivali i Këngës Shqipe “Fest Flaka” në Teatrin e Qytetit.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në Festivalin e Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës” u prezantuan 12 këngë premierë nga fëmijë të talentuar nga mbarë vendi.
“Ky festival është dëshmi se arti për fëmijë ka rol të pazëvendësueshëm në edukim, kulturë dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare. Fëmijët sollën në skenë emocion, energji dhe dashuri për këngën shqipe”, tha ai, thuhet në njoftimin e komunës.
Hyseni theksoi se komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e artit dhe talenteve të reja.
Ai tregoi se u mbajt edhe aktiviteti artistik “Këngët e Jusufit”, një mbrëmje që solli interpretime muzikore me përmbajtje artistike dhe kombëtare.
Ky aktivitet ishte pjesë e programit kulturor të edicionit të 35-të të “Flakës së Janarit”, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes muzikës dhe interpretimit artistik.
I pari i Gjilanit uroi organizatorët, interpretuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për një mbrëmje dinjitoze dhe me vlerë kulturore që e pasuroi edhe më tej “Flakën e Janarit”.























